Fitoi ajo skuadër për të cilën fitorja ishte më shumë e nevojshme. Edhe pse Suedia ishte shumë e fortë, me mjaft cilësi dhe goditi dy herë shtyllën, futbollistët e Ukrainës e dinin se populli i tyre në shtëpi, në vendin e vuajtur nga lufta e konfliktet, priste fitoren. Një përgjegjësi e madhe kombëtare kishte rënë mbi supet e tyre, dhe ata u treguan të denjë për të. Me golat e Oleksandr Zinçenkos dhe Artjom Dovbukut fituan 2-1, duke goditur edhe ata shtyllën, e duke përfituar nga përjashtimi me të kuq i suedezit Markus Danielson në 99’.
U deshën pra kohët shtesë, diçka thuajse e pashmangshme në raundin e dytë këto ditë, pasi 3 nga 4 ndeshjet e fundit u mbyllën ashtu. Madje, goli i Dovbukut erdhi pikërisht në minutën e fundit shtesë. Ukraina do të jetë kundërshtare e Anglisë në çerekfinale, veçse jo më në stadiumin “Uembli”, por në Stadiumin “Olimpik” të Romës në 3 korrik. Trajneri ukrainas, legjenda Andrej Shevçenko shpreson të ndjekë gjurmët e ish-mësuesit të tij, Valerij Lobanovskij, që arriti finalen e Europianit në 1988, në stolin e Bashkimit Sovjetik, që kishte si bazë yjet ukrainas e Dinamos së Kievit.
Sfidanti.al