Nuk ishin lojtarët që u zunë, të paktën nuk u tha gjë për këtë. Gjithsesi, atmosfera në kombëtaren e Francës u turbullua shumë pas lajmeve për konflikt mes familjarëve të disa lojtarëve, konkretisht të Adrien Rabiosë, Kilian Mbapesë dhe Pol Pogbasë. Sipas informacioneve mediatike, mamaja e Rabiosë, Veronika, u përfshi në një sherr me babanë e Mbapesë duke i thënë që ta mësonte djalin që të ishte më pak arrogant. Më herët, kishte sulmuar familjarët e Pogbasë pasi ky humbi topin në mesfushë dhe Zvicra kundërsulmoi duke shënuar gol.
Veronikë Rabio pati sherr verbal me nënën e Mbapesë, Fajza Lamari dhe me babanë e tij. Gjithashtu, gruaja që është edhe menaxhere e të birit, kritikoi disa gazetarë për mënyrën sesi shkruanin apo komentonin për Mbapenë. Familjarët e lojtarëve të tjerë, sipas mediave, u shprehën shumë të habitur nga sjellja e saj. Veronika duket grua shumë autoritare, por me gjasë shpërthimi i saj pasqyron tensionet e brendshme në kombëtaren e Francës. Vitin e fundit, por edhe më parë, kampionët e botës ishin bërë objekt i një lufte politike mes të djathtës së skajshme të Lë Penit dhe presidentit Makron. Të djathtët e skajshëm të Lë Penit i akuzuan lojtarët me origjinë jo franceze se nuk e ndjejnë fanelën dhe se nuk e këndojnë himnin, ndërsa Makroni i ka pritur në presidencë duke i lavdëruar.
Sfidanti.al