Kur duket një ekip që është i madh dhe që dëshiron me çdo kusht që të fitojë? Atëherë kur është me shpatulla pas murit, dhe kur i mungon një yll i madh. Kështu ishin Los Anxhelos Klipersat që do të ishin eleminuar nga plej ofi i NBA-së nëse do të kishin humbur në fushën e Feniksit. Vendasit kryesonin 3-1 me fitore, ndërsa për miqtë sërish nuk luante ylli kryesor Kauai Leonard. Gjithsesi, çdo parashikim i hodh poshtë nga Pol Xhorxh që luajti një ndeshje “qiellore” apo “yjore” në fitoren 116-102.
Xhorxh shënoi 41 pikë, kapi 13 topa në tabela e shërbeu 6 asistë, duke pasur edhe 3 vjedhje topi, ndonëse edhe 6 humbje topi. Në një ndeshje kaq të vështirë, përballë yjeve të tillë si Kris Pol e Devin Buker, këto janë gjëra që ndodhin. Xhorxh shënoi 75 për qind nga loja, një përqindje tepër e lartë, 50 për qind për tri pikë dhe 100 për qind nga vija e gjuajtjeve të lira! Xhekson pati 23 pikë, Morris 22 dhe Kouzins 15 pikë në vetëm 11 minuta lojë. Feniksi nuk përballoi dot presionin, të paktën jo këtë herë, ndonëse kryeson 3-2 me fitore dhe ndeshjen e shtatë të mundshme, vendimtare, do ta ketë në shtëpi. Buker shënoi 31 pikë e Pol 22, por këtë herë rivalët ishin tepër të fortë për t’u përballuar.
Sfidanti.al