Alan Shirer thotë se kombëtarja e “tre luanëve” nuk do të ketë rast më të mirë për të fituar Kampionatin Europian sesa ky që ka tani. Ish-rekordmeni i golave të Anglisë, dhe një nga heronjtë e Europianit 1996 e di se çfarë flet dhe shpresat e ishullorëve janë vërtet të mëdha. Të tilla ishin të atyre 43 000 tifozëve në “Uembli”, ndonëse për një kohë të gjatë skuadra e tyre u dominua si lojë nga Gjermania, por pa e humbur kurrë disiplinën dhe besimin.
Edhe statistikat flasin për Anglinë e trajnerit Garet Sauthgejt. Anglia nuk ka pësuar asnjë gol në 4 ndeshjet e para të Europianit. E vetmja që e kishte bërë më parë, Gjermania në 1996 që fitoi titullin. Po ashtu, Anglia në 1966 që u shpall kampione e botës. Sauthegjt është njeriu që ktheu disiplinën dhe unitetin në kombëtare. Tekniku jo shumë i vlerësuar në fillim, udhëhoqi skuadrën në gjysmëfinalet e Kupës së Botës 2018, pastaj në gjysmëfinalet e Ligës së Kombeve, ndërsa tani është në çerekfinalet e Europianit. “Gur-gur bëhet mur”, thotë populli.
Sfidanti.al