Anglia më në fund ndryshon historinë, eleminon Gjermaninë në Euro 2020!

Jo gjithmonë statistikat përcaktojnë rezultatin e një ndeshjeje, pra tradita nuk vendos përherë, ndërsa historia edhe mund të ndryshohet. E bëri më në fund Anglia e ndoshta kur nuk pritej edhe aq shumë, me një brez në tranzicion, por që arriti të eleminonte Gjermaninë nga një turne i madh. Shpikësit e futbollit fituan 2-0 në “Uembli” dhe u kualifikuan për në çerekfinalet e Kampionatit Europian, hera e dytë që e nxjerrin jashtë Gjermaninë në fazat finale të turneve të mëdhenj. Për herë të parë kishte ndodhur në nisje të rivalitetit mes tyre, në finalen e Kupës së Botës 1966 po në “Uembli”.

Rahim Stërling dhe Harri Kejn ishin autorët e golave për një ekip që bëri më pak lojë,  tregua më pak i rrjedhshëm, por që ishte më i rrezikshëm. Gjermania mbajti topin 54 për qind, gjuajti 9 herë drejt portës, por vetëm 3 herë në kuadrat. Anglia gjuajti vetëm 5 herë, por 4 gjuajtje i pati në portë, me dy gola.

Përveç kapitenit Harri Kejn, pati edhe dy lojtarë që vendosën sidomos në fazën sulmuese. Stërling ishte thuajse “hije” në fushë, por shënoi golin përcaktues. Në 20 ndeshjet e fundit për Anglinë ka shënuar 15 rrjeta, dhe 3 nga 4 golat e deritanishëm në Euro 2020. Xhek Grelish i Aston Vilës pati sërish një ndikim të madh, sapo hyri në lojë, ashtu siç bëri kur u aktivizua me Çekinë. Dy ndeshje, dy asiste golash për të.

Gjithsesi, Anglia ishte më e sigurt edhe në mbrojtje, me portierin Pikford, dhe treshen e fortë Uolker-Stouns-Megajer, ndërsa lojtarët në krahë si Saka e Shou neutralizuan pikat më të forta të Gjermanisë, Kimih e Gosens. Ishte një betejë taktike që u fitua nga trajneri Sauthgejt, më energjik dhe më i qetë sesa Joakim Lëv që po largohet. Ndeshja nuk ishte nga më të bukurat e Europianit, por ishte me shumë emocione në “Uemblin” me mbi 40 000 spektatorë.

Anglia (4-3-3): Pikford – Uolker, Stouns, Megajer – Tripier, Filips, Rajs (Henderson 88’), Shou – Saka (Grelish 69’), Kejn, Stërling. Tr. Sauthgejt.

Gjermania (3-4-2-1): Nojer – Ginter, Humels, Rydiger – Kimih, Kros, Gorecka, Gosens (Sane 87’) – Haverc, Myler (Musiala 90’+2) – Verner (Gnabri 68’). Tr. Lëv.

Sfidanti.al