Filloi me një 0-3 në fushën e Seviljes, vazhdoi me 1-5 në “Kamp Nou”, arriti kulmin me 0-3 në stadiumin e Eibarit dhe ja tani një 0-3 në Champions ndaj CSKA-së së Moskës, madje brenda në Madrid. Çfarë po ndodh këtë sezon me Realin e Madridit? Pavarësisht nëse njeriu në stol quhet Lopetegi apo Solari, kur vijnë humbjet janë të rënda. Nuk duhet harruar as 0-1 në Moskë me CSKA-në dhe as 2-4 me Atletikon në finalen e Superkupës së Europës.
Skuadra me historinë më të madhe në futbollin europian dhe atë botëror, po kalon një edicion me “sëmundje” të rëndë. Diagnostikimi ndoshta nuk është bërë plotësisht, dhe nuk mund t’i vihet një emër, por e vërteta është se ky ekip duket në tranzicion, i paekuilibruar, jo një familje. Mos vallë ka të drejtë Kristiano Ronaldo, i larguari i madh, që thotë se “Juventusi është si një familje, dhe jo Reali”?
Vështirë të kuptohet, ndërsa në mediat spanjolle ka sulme për Florentino Perezin, të cilësuar si “presidenti më i keq në historinë e Realit” (ndonëse ka fituar disa Champions)!
Kundër CSKA-së mungonte një pjesë e madhe e yjeve, pasi titullarë ishin Odriozola, Vajeho, Sançez, Jorente, Valverde dhe Vinisius Zhunior. Gjithsesi, aspak lojtarë të këqinj përballë një ekipi rus që ka njohur humbje me Romën dhe Plzenin. Për më tepër, në fushë ishin Kurtua, Marselo, Isko, Asensio dhe Benzema, ndërsa në pjesën e dytë hynë Karvahal, Kros dhe Bejl.
Natyrisht, asgjë nuk është kompromentuar matematikisht, por dëmi duket se është bërë moralisht dhe teknikisht. Vështirë që një skuadër kaq e çoroditur të mbledhë mendjen dhe të fitojë sërish Championsin apo, edhe më keq, La Ligën.
Sfidanti.al