Tomas Myleri, si De Jongu, Toni Shumaheri apo Goikoeçea!

Krahasimi nuk mund të jetë i plotë, veçse ndërhyrja nuk mbetet prapa tyre. Tomas Myler mori karton direkt të verdhë pas goditjes kung fu që i bëri lojtarit të Ajaksit, Taliafiko, duke i qëlluar pas koke dhe duke e shtrirë përtokë, të çarë e të tronditur. U deshën minuta që mjekët të përfundonin ndihmën e tyre për futbollistin vendas, që pati nevojë për disa qepje.

Tomas Myler ndërhyri për top, duke u ngatërruar po aq shumë sa edhe mesfushori holandez, Nigel De Jong, në finalen e Kupës së Botës 2010 ndaj Spanjës. De Jongu u ngrit me kung fu dhe goditi në bark Shabi Alonson, i cili gjithashtu mori ndihmë urgjente mjekësore. Gjithsesi, De Jongu pati shumë më tepër fat se Myleri, pasi nuk mori as karton të verdhë.

Në historinë e futbollit ka shumë goditje të tilla, madje disa prej tyre të qëllimshme. E tillë ajo e Andoni Goikoeçeas së Bilbaos, ndaj Diego Armando Maradonës në shtator 1983, një ndërhyrje me shkelm direkt në kavilje, pas së cilës Diego mbeti pa luajtur për 3 muaj, ndërsa “Goiko” mori epitetin “Kasapi i Bilbaos”.

Një tjetër ndërhyrje brutale, ajo e portierit të Gjermanisë Perëndimore, Harald “Toni” Shumaher, ndaj lojtarit të Francës, Batiston, në gjysmëfinalen e Kupës së Botës 1982 në Spanjë. Goditja e Shumaherit ishte thuajse e qëllimshme, ose të paktën pa asnjë lloj kujdesi, Batistoni u dëmtua rëndë, ndërsa portieri gjerman, ashtu si De Jongu, nuk pati asnjë qortim.

Sfidanti.al