Dhuna e ultrasve të Zrinjskit në Tiranë, çfarë urrejtje mes kroatëve dhe myslimanëve në Mostar!

Përpara ndeshjes ishin shumë luftarakë. Ultrasit e Zrinjskit nuk ishin fizikisht të dhunshëm, por frymëzimi i tyre padyshim shkaktoi shqetësim. Frika doli me bazë sepse në përfundim të ndeshjes së ekipit të tyre ndaj Tiranës në “Arenën Air Albania”, disa dhjetëra prej tyre shpërthyen në dhunë, sipas një skenari që me gjasë të parapërgatitur. Policia shqiptare nuk është se i kurseu, duke përdorur gazin lotsjellës dhe shkopat e gomës. Rrugë tjetër nuk kishte, ndërsa bilanci ishte i rëndësishëm. Plot 46 të shoqëruar për një ndeshje të Ligës së Konferencës në një stadium aspak të mbushur plot. Nga këta, vetëm 1 i proceduar në gjendje të lirë, ndërsa vendimi është padyshim për t’i larguar sa më parë nga Tirana dhe Shqipëria.

Konflikti pati jehonë në mediat boshnjake. E përditshmja e Mostarit, “Dnevni List” iu referua videove dhe lajmeve nga Shqipëria duke komentuar sjelljen e tifozëve të Zrinjskit. Për të përditshmen e Sarajevës, “Osllobogjenje”, sherri me policinë e Tiranë nuk përfundoi aspak mirë për ultrasit e Zrinjskit. Gazeta tjetër sarajevase, “Dnevni Avaz” e përshkruan si kaos në Tiranë me tifozët e Zrinjskit e policinë, me shumë arrestime: Fluturuan karriget dhe çakmakët!

Mos vallë kjo që ndodhi ishte diçka e papritur? Aspak! Ultrasit e Zrinjskit janë të njohur në Bosnjë-Hercegovinë ashtu si çdo grupim tjetër, që në këto shtete ish-jugosllave janë egërsuar dhe kriminalizuar ndjeshëm nga lufta e viteve 90-të të shekullit të kaluar. Duhet të kujtojmë se Mostari, i cilësuar si “perla e Ballkanit”, qyteti me urën e famshme otomane, është i ndarë në mes nga Lumi Neretva, dhe kështu është ndarë edhe pjesa kroate me atë myslimane. Zrinjski është klub i kroatëve, dhe ultrasit shpesh janë përplasur me ata të ekipit tjetër të qytetit, Velezhit, që përfaqëson myslimanët, ndërsa urrejtja mes palëve është e njohur. Një mëkat që ky qytet kaq i bukur shpesh është nën pushtetin e kësaj dhune.

Sfidanti.al