Del Boske: Guardiolën e quajnë tradhëtar, por gëzon respektin!

Një emër i madh i stolit si Visente Del Boske është gjithnjë kënaqësi ta dëgjosh kur flet. Njeriu që drejtoi Realin e Madridit dhe Spanjën nuk mund të mos përmendte fjalën “tradhëti” për Pep Guardiolën, edhe pse e vendos atë në gojën e të tjerëve, pra të një pjese të opinionit spanjoll. “Sigurisht që (Guardiola) gjykohet ndryshe nga të tjerët për shkak të bindjeve të tij politike (e ka fjalën për katalonizmin), – shprehet Del Boske në një intervistë për “Radio Markën”, – për shumë gjëra që thotë apo që bën mund ta quajnë tradhëtar, por gjithsesi Pepi gëzon gjithë respektin e duhur”.

Del Boske flet edhe për Realin, duke thënë se skuadrën e ka të mirë, por i bënë keq ndërrimet e trajnerëve, është i lumtur me kombëtaren e Spanjës që “është në duar të mira”, ndërsa parashikon që Liverpuli është më pranë fitores së Championsit sesa Totenhemi, ndonëse lavdëron shumë trajnerin Poçetino. Së fundi, veterani i stolit thotë se do të merrte më përpara Mbapenë sesa Nejmarin, “sepse më duket më i kthjellët”.

Sfidanti.al