Dejvis shkëlqen në Çikagon e tij, Lejkërsat kanë një garanci titulli!

Nëse gjërat do të kishin shkuar pak më ndryshe, ai do të kishte qenë i madh me fanelën e lavdishme të qytetit të lindjes. Entoni Dejvis vërtet ka luajtur për Nju Orlinsin dhe tani për Los Anxhelos Lejkërsat, por vendlindja e tij është Çikago. Pikërisht në Arenën e saj, lojtari i shkëlqyer qendër dha një provë të rrallë, më të mirën e sezonit, duke shënuar 37 pikë në fitoren e Lejkërsave 101-90. Ishte një paraqitje e panjollë me saktësi të madhe në gjuajtje, gati 67 për qind nga loja dhe po kaq për tri pikë, si dhe gati 78 për qind në vijën e gjuajtjeve të lira. Dejvis pati edhe 6 topa në tabela, 3 asistë, 2 vjedhje topi e 1 bllokim gjuajtjeje, duke mos e lënë të lodhet shumë kapitenin e tij, Lebron Xhejmsin.

Ky i fundit gjithashtu luajti mjaft mirë ndonëse kur sheh se ka shënuar 17 pikë të duken pak. Lebroni shtoi 11 topa në tabela e 6 asistë, e po ashtu 2 vjedhje topi, ndonëse e humbi topin plot 6 herë. Një veterani 36-vjeçar i falen gjëra të tilla. “Ishte e vështirë këtë herë, – tha Dejvisi pas ndeshjes, – kur kthehem në shtëpi, familja ime është në tribunë, por këtë herë ishte e pamundur. Duke qenë në Konferencën Perëndimore, unë vij shumë rrallë në Çikago dhe familja më mungon. Ishte ndryshe nga herët e tjera”. Përtej mallit për familjen, Dejvisi dhe Lebroni janë në rrugë të mirë për të mbrojtur titullin, duke pasur vetëm 4 humbje në 17 ndeshje, po aq sa Juta dhe Klipersat.

Sfidanti.al