Dëgjoni si fitohet derbi sipas Lerdës: Jam pragmatik, dua rezultatin, pastaj spektaklin!

E nisi duke respektuar traditën e viteve të fundit. Franko Lerda e fitoi derbin e parë në stolin e Partizanit, ndërsa tani është në prag të të dytit, dhe italiani pyetet sesi do ta luajë këtë ndeshje. Pa lënë asnjë dyshim, trajneri tregon sesi dëshiron ta luajë sfidën.

“Filozofia ime e jetës është pragmatizmi, pra të kërkosh rezultatin, – sqaroi ai, – Besoj se rezultati është më i mundshëm për t’u marrë nëse luan mirë, nëse luan më mirë se kundërshtari. Në një ndeshje si kjo tani, do të ishte maksimumi që të jepnim edhe spektakël, por ka më shumë rëndësi rezultati. Kjo vlen për të gjitha, por sidomos në mënyrë të veçantë për këtë ndeshje, për faktorët që e rrethojnë”.

Tek Tirana ka probleme me dy trajnerë të larguar, sa ndikon kjo në ndeshje? “Unë mendoj për skuadrën time, mendoj për lojtarët e mi, – refuzoi ai të hynte në koment, – Nuk dua të mendoj për atë që ndodh tek Tirana. Ndeshjen e luajmë dhe e fitojmë ne, dhe kjo nuk varet nga kundërshtari, edhe pse Tiranën e respektojmë siç bëjmë gjithnjë”.

Gjithsesi, edhe Partizani vjen pas një humbjeje zhgënjyese në Ballsh.

“E kemi analizuar ndeshjen që zhvilluam ndaj Bylisit, kemi parë gjërat e mira që bëmë, por edhe ato që nuk ishin të mira, dhe kemi punuar për këtë, – u shpreh “stampë” Lerda, – Gjithsesi, ta lemë pas atë ndeshje, dhe le të përgatisim këtë që vjen. E dimë se rivali i radhës është i rëndësishëm, me vlera, dhe Tirana nuk ka renditjen që i takon cilësisë së saj. Për ne është një ndeshje e rëndësishme, një provë e rëndësishme”.

E veçanta e derbit është se do të jetë i pari në stadiumin e ri. “Kjo është një ngjarje e bukur, së pari sepse është derbi, – deklaroi italiani, – Pastaj ne po inaugurojmë një stadium të ri, një stadium të bukur dhe të rëndësishëm, një nga më të bukurit që janë sot në Europë. Kjo na jep kënaqësi dhe shpresoj që të jetë një festë e bukur për të gjithë”.

Partzanit i mungojnë tre lojtarë të rëndësishëm si Telushi, Broja e Malaj, por Lerda e pret shkurt duke thënë se ndeshjen po e përgatit me lojtarët që ka, dhe se alternativat nuk mungojnë.

Sfidanti.al