Debutimi historik i Mesit, por heroi është Kilian Mbapeja!

Dy gola nga sulmuesi 22-vjeçar ishin arsyet e festës për Paris SG në fitoren 2-0 në fushën e Reimsit. Përtej zhurmave dhe spekullimit për të ardhmen, me Realin “pas dere”, Kilian Mbape u tregua një profesionist i madh duke dhënë maksimumin për PSG-në në Ligën e Parë të Francës. Ai shkëlqeu edhe sepse shokët e tij bënë detyrën, së pari Vajnaldum-Di Maria për golin e parë, dhe pastaj Ashraf Hakimi për të dytin (minutat 15, 63). U desh të kalonin edhe disa minuta të tjera dhe në 76’, trajneri Poçetino hodhi në fushë Mesin, pikërisht në vend të Nejmarit. Braziliani kurrë nuk e pret mirë zëvendësimin, por këtë herë ishte i lumtur që i bëri vend ish-shokut tek Barcelona. Nuk është se ish-kapiteni i Barcelonës pati shumë për të bërë, pasi ndeshja kishte marrë fund, ndaj për golat e tij duhet pritur në javët në vijim.

Sfidanti.al