Në La Liga mund të jetë 3 ndeshje pa fitore (ende në vend të parë, sidoqoftë), por në Champions këtë vit e ka marrë seriozisht. Barcelona tregoi përparësinë e sezonit kur fitoi 4-2 në fushën e Totenhemit, ndërsa Lionel Mesi “papritur” u shfaq në kulmin e formës.
Ylli argjentinas shënoi dy gola për kampionët e Spanjës që mbajtën pa shumë problem kreun e grupit B me 6 pikë të plota, po aq sa Interi që fitoi 2-1 në Holandë me PSV Ajndhovenin. Ndryshimi, padyshim është tek golat, pasi katalanasit kanë shënuar dyfishin e italianëve. Kur luan në “Uembli” ai gjithnjë është një gjigand, siç ndodhi në finalet e Championsit në 2009 e 2011, të fituara nga Barça ndaj Mançester Junajtidit, ku Leo shënoi përkatësisht, një e dy gola.
Italia, ndërkaq, u nderua nga Napoli. “Babaxhani” Karlo Ançeloti u tregua vërtet një “dhelpër dinake” duke arritur të fitonte ndaj nënkampionëve në fuqi të Europës, yjeve të Liverpulit. Napolitanët e merituan suksesin, pasi lojtari më I mirë në fushë ishte portieri mik, Alison, ndonëse goli erdhi vetëm në sekondat e fundit nga Lorenco Insinje, ylli I momentit.
Në grupin A, dallimi është tepër I madh mes dy më të fortave dhe të tjerave. Dortmundi e Atletiko e Madridit nisën shkëputjen, edhe pse spanjollët nuk e patën të lehtë ndaj belgëve të Klub Bryzhit. Fituan 3-1, por ishin në 1-1 deri në 67’, dhe në 2-1 deri në fund. Antuan Grizman u bë hero me dy rrjetat e tij, ndërsa Koke shënoi një gol.
Dortmundi vazhdon të jetë spektakli I sezonit në Gjermani dhe Europë. Skuadra e trajnerit Lysien Favre, pas shkëlqimit në Bundesligë, triumfoi me një 3-0 ndaj Monakos në “Signal Iduna Park”, ku pati festë për Larsenin, Alkaserin (që humbi edhe një penallti) dhe kapitenin Marko Rojs.
Grupi A: Atletiko-Bryzh 3-1, Dortmund-Monako 3-0. Renditja: Dortmund e Atletiko nga 6 pikë, Bryzh e Monako nga 0.
Grupi B: Totenhem-Barcelona 2-4, PSV-Inter 1-2. Renditja: Barcelona e Inter nga 6 pikë, Totenhem e PSV nga 0.
Grupi C: Paris SG-Crvena Zvezda 6-1, Napoli-Liverpul 1-0. Renditja: Napoli 4 pikë, Liverpul e Paris SG nga 3, Crvena Zvezda 1.
Grupi D: Lokomotiv Moskë-Shalke 0-1, Porto-Gallatasaraj 1-0. Renditja: Porto e Shalke nga 4 pikë, Gallatasaraj 3, Lokomotiv 0.
Sfidanti.al