Çfarë e bën kaq të fortë Milanin? Qetësia e Piolit dhe harmonia!

Interi është një skuadër e frikshme, por shpesh disi e shëmtuar dhe si e kapur nga ngërçe nervash. Nuk mund të thuhet se ka harmoni të plotë në ekipin e Antonio Kontes me Eriksenin jashtë, Naingolanin e Vidalin shpesh në diskutim, ndonjëherë Shkriniarin, një Brozoviç disi egoist dhe vetë trajnerin shpesh me nerva.

Tek Milani ka kthjelltësi, në të kundërt. Fitorja e madhe ndaj Lacios, edhe pse në sekondat e fundit, konfirmoi atë që kuqezinjtë janë në krye të Serisë A për shkak të harmonisë dhe optimizmit. Si dhe për shkak të qetësisë së trajnerit Stefano Pioli. Jo më pak rëndësi ka personaliteti tepër i madh i Zllatan Ibrahimoviçit, edhe kur është i dëmtuar. Me suksesin 3-2 në “San Siro” ndaj lacialëve, milanistët mbajtën kreun e renditjes me 34 pikë në 14 ndeshje.

Nëse shikon se kolona e humbjeve mbetet zero, si asnjë skuadër tjetër në Itali, atëherë kupton se ky Milan është vërtet i fortë. Ka 10 fitore e 4 barazime, shpesh ka reaguar në fund, ndërsa për Krishtlindje do të jetë i pari. Një dhuratë për tifozët që kishin kaq kohë që prisnin. Nuk ishte aspak e lehtë përballë një Lacioje të fortë. Rebiç e Çalhanoglu me penallti ngjitën vendasit në 2-0 në vetëm 17 minuta lojë, por kryeqytetasit reaguan me Luis Alberton në 28’ dhe Imobilen në 59’.  U mendua barazim, por Teo Hernandez goditi në minutën e 3-të shtesë.

Sfidanti.al