Brdariçi, nga finalja e humbur e Championsit te kryesimi me Vllazninë

Origjina e tij është kroate, vendlindja dhe edukata janë gjermane, ndërsa gjuhën e futbollit e ka folur shumë mirë kudo që ka qenë. Tomas Brdariç, trajneri që po drejton me sukses Vllazninë, ka një të kaluar të rëndësishme në sportin e “topkëmbës” ndërsa nuk harrohet humbja e pafat në finalen e Championsit në 2002, kur Leverkuseni i tij u mund 1-2 nga Reali i Madridit në stadiumin “Hampden Park” të Gllazgout. Mbahet mend goli i famshëm i Zinedin Zidanit, por edhe pritjet e panumërta të Iker Kasijasit të ri pas pushimit, përballë një Leverkuseni që fluturonte në sulm. Brdariç ishte titullar në atë finale, zëvendësuar shpejt në 39’, ndërsa trajneri Klaus Topmëler hodhi në fushë Dimitar Berbatovin.

Tek Vllaznia, ai është një trajner shembullor, të paktën deri tani, duke lexuar mirë ndeshjet e duke bërë zëvendësimet e duhura, e jo më kot shkodranët janë në vendin e parë me 22 pikë ndaj 17 të Kukësit. Ish-trajneri i Tiranës, Emanuel Egbo, thekson se “tek Vllaznia  e sotme unë shoh Tiranën e vjetshme, që kishte harmoni, dhe që të gjithë luftonin për një qëllim”. Sidoqoftë, dikur Brdariçi nuk ishte kaq harmonik me të gjithë. Një herë, e tërboi trajnerin e tij tek Hanoveri (në Bundesligë), Peter Nojrurer, duke thënë në një intervistë se “një sulmues është egoist dhe e ka natyrale lakminë për golin, ndaj për të është më mirë një barazim 4-4 me katër gola të tij sesa një fitore e skuadrës”. Nojrureri e la në stol, ndërsa sot padyshim që Brdariçi mendon ndryshe.

Sfidanti.al