Nuk i beson krizës së Juventusit, mendon se Milani padyshim është një rival, dhe se skuadra të tjera si Roma, Lacio apo Atalanta, janë gjithashtu pretendente. Antonio Konte nuk ishte “në fluturim” pas fitores së vështirë 2-1 të Interit në fushën e Veronës, që i dha mundësinë të shijonte kreun e Serisë A. Nuk ishte Romelu Lukaku që shënoi këtë herë, ndonëse belgu ishte “kali” që tërhoqi më shumë “karrocën”.
Shënoi Lautaro Martinez, pastaj barazoi Iliç në 63’, por zikaltërit patën forcën e karakterit për të reaguar. Në 69’ shënoi Martin Shkriniar dhe ndeshja u fitua. “Ky Inter është skuadër shumë e fortë, e bashkuar, që do të luftojë për titullin deri në fund, – u shpreh trajneri, – ky është lajmi i mirë nga kjo ndeshje. U treguam të zotë që reaguam në 1-1. Gjithsesi, sezoni do të jetë i gjatë dhe i vështirë, kampionati është më i ekuilibruar dhe kështu do të jetë deri në fund”. Konte pranon se do të ketë lëvizje në transferime në janar, ndonëse nuk jep objektiva, por thotë se shpesh mendimet e tij përkojnë me ato të drejtuesve.
Skuadra zikaltër arriti fitoren e 7-të radhazi në Serinë A, shenjë e një forme shumë të mirë e ndoshta e një lehtësimi pas Championsit, ndonëse Konte kundërshton duke thënë se ajo plagë mbetet e hapur dhe duhet të mos i largohet nga mendja, as atij dhe as lojtarëve. Interi ka 33 pikë, një më pak se Milani që kryeson.
Sfidanti.al