Çelsi dëshiron të pushtojë Europën me Halandin, por prish punë një klauzolë

Mino Raiola është një mjeshtër për të nxjerrë fitime për vete, për t’i gjetur ekipe të mëdhenj lojtarëve të tij, si dhe për të firmosur … klauzola. Agjenti italo-holandez e bëri këtë me Erling Halandin kur e solli nga Salcburgu tek Dortmundi, duke vendosur një nen në kontratë që në 2022 sulmuesi do të mund të largohet për rreth 70 milionë euro. Për momentin, vlera e kartonit e kërkuar nga Dortmundi shkon në mbi 150 milionë euro. Klauzola është në rend të ditës edhe tani që Çelsi i Londrës kërkon Halandin, madje e do norvegjezin këtë verë.

Roman Abramoviç dhe Tomas Tuhel, një dyshe tepër ambicioze e bluve të Londrës, janë të vendosur që “pushtimi i Europës” duhet të vazhdojë, pra të fitojë sërish Championsin sezonin e ardhshëm, ndërsa vetëm Reali ka arritur ta bëjë një gjë të tillë gjatë epokës “Champions”. Që kjo të ndodhë, madje që të ketë mundësi të mëdha për t’u arritur, duhet një ekip i madh, dhe me Halandin potenciali rritet. Kostoja totale e operacionit mund të arrijë në 200 milionë euro, ndërsa Çelsi ka marrë parasysh rreziqet dhe shpenzimet përkundër fitimeve, sepse do ta forconte shumë edhe në garën për Premier Ligën. Raiola, megjithatë, kërkon të vendosë klauzolë që ta ketë si rrugëdalje për Halandin, ashtu siç bëri tek Dortmundi.

Sfidanti.al