Nuk e ka gjithçka në dorë, por vullneti i lojtarit luan rol të madh. Me shumë gjasë, Armando Broja do ta detyrojë Sauthemptonin që të presë deri në fund të sezonit përpara sesa të bëjë përpjekje për ta marrë kartonin e tij përfundimisht nga Çelsi. Sulmuesi i kombëtares shqiptare e ka marrë këtë vendim, sipas asaj që shkruajnë mediat angleze, sepse dëshiron të presë verën për të parë nëse trajneri i Bluve të Londrës, Tomas Tuhel, do ta kthejë në ekip, pra do ta ketë në planet e tij. Nëse jo, 20-vjeçari do të shikojë se ku do të jetë më mirë që të luajë sezonin e ardhshëm. Gjithsesi, informacionet nga Anglia janë që Sauthemptoni nuk dëshiron të presë kaq gjatë, dhe do të bisedojë më shpejt me londinezët.
Sipas mediave, pritet që bisedimet të zhvillohen menjëherë pas përfundimit të periudhës zyrtare të transferimeve në 31 janar. Ndërkaq, “Shenjtorët” nuk janë të vetmit që e duan Brojën. Edhe Lids Junajtidi, Uolvesi apo Evertoni interesohen për të, dhe më herët janë përmendur Uest Hemi apo Njukasëlli. Kjo konkurrencë ka bërë që kartoni i sulmuesit kuqezi të rritet në mënyrë eksponenciale, dhe tani po përmenden shifra deri në 40 apo 50 milionë euro. Broja ka shënuar 7 gola këtë sezon e ka dhënë 1 asist, nga të cilët 5 gola dhe asistin e ka në Premier Ligë duke vendosur rekorde për moshën.
Sfidanti.al