Australian Open: Fiton vajza e shtëpisë, Eshli Barti!

Një turne që nisi me probleme, po arrin një fund të lumtur. Australian Open pati një të shtunë të shkëlqyer në Arenën “Rod Lejvër” të Melburnit, pasi një teniste vendase ia doli të shpallej kampione pas 44 vjetësh. Triumfin e madh e arriti Eshli Barti, vajza 25-vjeçare australiane, që mundi 2-0 me sete amerikanen e fortë, Danielë Kollins. Rezultati i seteve ishte 6-3 e 7-6 në një orë e 27 minuta, duke dominuar në fillim, por duke u ndodhur në humbje 1-5 në setin e dytë. Suksesi i saj u prit me entuziazëm të madh në tribuna.

“Ju falenderoj, – tha ajo pas brohoritjeve të tifozëve, – ju falenderoj shumë. Së pari dua të përgëzoj Danielën që luajti një finale të madhe, dhe është tani ndër 10 lojtarët e para të botës. Dua të falenderoj stafin tim teknik, po ashtu familjen time dhe organizatorët e turneut. Ka qenë shumë e vështirë këta dy vjet, por unë kam qenë me fat që kam pasur kaq shumë mbështetje dhe dashuri. Si australiane desha shumë të fitoja dhe mbështetja e tifozëve ishte vendimtare”.

Barti u bë e para australiane që ia del pas Kris O’Neilit në 1978, ndërsa është e veçantë sepse është pasardhëse e banorëve indigjenë në Australi, që ishin aty shumë kohë para mbërritjes së europianëve. Vetëm 1.66 metra shtatlartë, ajo ka provuar probleme të mëdha, pasi në 2014 ajo u tërhoq nga tenisi duke kaluar në kriket. Vajza nga Kuinslendi ishte 18 në atë kohë dhe pati stres e probleme psikologjike, por për fat u rikthye, duke u bërë një nga emrat më të shquar të sportit. Ky ishte Grand Slemi i tretë në karrierë për Bartin, pasi në 2019 fitoi “Rolan Garosin” në Paris, ndërsa është kampione në fuqi e Uimbëlldonit, që e fitoi vitin e kaluar.

Sfidanti.al