Biçikleta e Edi Rejës “zhvendos” Xhiron e Italisë në Slloveni; po Shqipëria?

Njihet si njeriu i biçikletës. Edi Reja, trajneri i Shqipërisë dhe italiani i shquar i futbollit është edhe i dashuruar me çiklizmin të cilin nuk e lë as në moshën 75-vjeçare, ndërsa bën një veprim të madh për vendin e tij të origjinës. Njeriu, që është slloven nga babai, dhe friulan nga nëna, loboi fort tek organizatorët e Xhiros së Italisë, që ajo të kalonte nëpër Slloveni.

Përpjekjet e tij patën sukses, siç njofton vetë faqja zyrtare e Qeverisë së Sllovenisë në internet. Bashkë me lobimin e Rejës, sllovenët u ndihmuan edhe nga dy çiklistët e tyre të shquar, Tadej Pogaçar e Primozh Rogliç, që zunë dy vendet e para në Turin e Francës, garën më të madhe të çiklizmit në botë.

Edhe Xhiroja e Italisë është një ngjarje e shquar, më e madhja në rruzull pas Turit francez, ndaj edhe ka rëndësi të madhe kur ajo kalon nëpër vende të ndryshme. Parashikohet që plot 800 milionë njerëz në të gjithë globin do ta ndjekin edicionin e 104-të të saj, nga 8 deri në 30 maj të këtij viti. Kjo do të thotë se falë Rejës, Sllovenia do të ketë reklamë të madhe për turizmin.

Në 15 maj, Xhiroja do të kalojë pranë fshatit të babait të Rejës, Vipolzhe. Mbetet të shihet nëse trajneri i kombëtares kuqezi do të lobojë në të ardhmen që gara e madhe italiane e çiklizmit të ketë një etapë që të kalojë edhe në Shqipëri.

Sfidanti.al