Kohë prangash tek Barcelona, por për fat Bartomeu nuk është më president!

Një tjetër bombë e madhe plasi. Klubi i Barcelonës dhe i gjithë futbolli spanjoll u trondit nga lajmi i arrestimit të ish-presidentit Zhozep Bartomeu së bashku me 3 drejtues të tjerë. Policia spanjolle hyri në zyrat e klubit në “Kamp Nou”, ku u ndaluan disa nga të akuzuarit dhe u sekuestrua material që do të përdoret për gjyqin, ndërsa Bartomeu u mor në shtëpinë e tij. Bashkë me të janë arrestuar edhe drejtori i përgjithshëm Oskar Grau, drejtori i shërbimeve juridike Gomez Ponti dhe zyrtari tjetër Masferrer.

Akuza për ta është janë përfshirë në një fushatë diskreditimi ndaj ish-lojtarëve të Barcelonës, por edhe lojtarëve të sotëm që kanë folur kundër presidencës së Bartomeut. Skandali i mbiquajtur “Barça-Gejt”, sipas emërtimit që u përdor për skandalin e ish-presidentit amerikan Nikson, “Uotërgejt”, dyshohet se ka lidhje me pagesa të bëra nga klubi katalanas për një agjenci lobiste, që ndërmori fushatë kundër Mesit, Pikesë apo Guardiolës si dhe shumë të tjerëve për t’u dëmtuar imazhin publikisht në rrjetet sociale dhe në media. Vetë Mesi foli hapur për një gjë të tillë, në intervistën e dhënë 5 muaj më parë për median spanjolle “AS”.

Në hetime janë përfshirë policia katalanase dhe policia e krimit ekonomik. Jehona e arrestimit të Bartomeut dhe e drejtuesve të tjerë ishte e madhe në të gjithë Europën. Mediat në Spanjë, në Francë, në Gjermani apo në Itali po e ndjekin skandalin duke theksuar se në çfarë niveli të ulët ka rënë klubi që dikur ishte zilia e gjithë botës, dhe që ishte partner i UNICEF-it dhe i Kombeve të Bashkuara. Bartomeu është presidenti i dytë i Barcelonës që arrestohet në pak vjet. Në 2017, iu vunë prangat Sandro Rosellit, ndërsa ishte larguar nga posti, i akuzuar për pastrim parash. Rosell u dënua dhe vuajti dy vjet ndëshkimin në burg.

Edhe Bartomeu e ka dhënë dorëheqjen pak muaj më parë, pas akuzave të shumta dhe konflikteve me Lionel Mesin, ndërsa Barcelona kohët e  fundit ka pësuar disfata të rënda sportive, përfshi edhe eleminimin e turpshëm vjet në Champions, pas humbjes 2-8 ndaj Bajernit.

Sfidanti.al