Berat Gjimshiti dëmtohet përsëri, sa do të mungojë mbrojtësi kuqezi?!

Një sezon vërtet i mallkuar. Berat Gjimshiti rrezikon sërish ndeshjet e kombëtares në eliminatoret e Kampionatit Europian, ndërsa pësoi një tjetër dëmtim në Itali. Mbrojtësi i qendrës luajti vetëm 45 minuta në ndeshjen e Serisë A mes Atalantës dhe Romës, fituar 3-1 nga vendasit, dhe në pushim u zëvendësua. Ende nuk dihet shkalla e lëndimit për 30-vjeçarin kuqezi, për të cilin ky edicion ka qenë tepër i vështirë. Gjimshiti pësoi dëmtimin e tretë që nga shtatori i kaluar, pasi i ndodhi në shtator ndaj Milanit dhe pak javë më parë ndaj Napolit.

Kurrë më parë, nuk i kishte ndodhur diçka e tillë. Shqiptari nga Kosova ka humbur një numër të madh ndeshjesh në Itali, por po ashtu nuk luajti dot për kombëtaren shqiptare në sfidën e parë eliminatore në Euro 2024, në Varshavë ndaj Polonisë. Pritet të shihet diagnoza dhe koha e rikuperimit, ndërsa mbetet më shumë se një muaj e gjysmë që nga ndeshja e radhës e kombëtares në Euro 2024, ajo në “Arenën Air Albania” ndaj Moldavisë në 17 qershor.

Sfidanti.al