Benks dhe Pele, dy legjendat që i bëri miq një … pritje!

Ishin dy heronj të një kohe tjetër. Vitet e tyre ishin ato 60-të, kur Anglia flinte e zgjohej me këngët e Bitëllsave, ndërsa Brazili me futbollin e plazheve. Gordon Benksi dhe Peleja ishin dy ndër legjendat më të mëdha të asaj epoke, njëri në portë, tjetri në piedestalin e topkëmbës, dhe vetë Pele thotë se u bënë miq nga një … pritje.

Ishte pritja e pabesueshme që Benksi i bëri gjuajtjes me kokë të Pelesë në Botërorin e Brazilit, në ndeshjen e grupit, që përfundimisht brazilianët e fituan 1-0 ndaj Anglisë.

Benksi u nda sot nga njerëzimi, pasi humbi betejën me kancerin në moshën 81-vjeçare, dhe Peleja i bëri homazh kujtimit të anglezit. Nuk ishte e lehtë për Gordon Benksin të shkëlqente në një kohë kur “mbretëronte” Lev Jashini, legjenda e Bashkimit Sovjetik, por numri 1 i “tre luanëve” e fitoi vendin e tij në histori.

Ashtu si Pele, ai ishte njeri që nuk shkoi pas klubeve të mëdhenj. Braziliani u betua dhe nuk u nda nga Santosi nga fillimi deri në fund, ndërsa Benksi mbrojti portën e dy skuadrave jo edhe aq të dëgjuara, si Leisteri (Leiçester) dhe Stouk Siti. Nuk shkoi tek Mançester Junajtidi, Liverpuli, Lidsi apo Arsenali. Ishin vitet kur futbolli ende nuk ishte bërë kaq arrogant sa sot, edhe pse jetën e kishte të lumtur. Duhej të vinin Krujfi e Bekenbaueri, apo Trevor Frensisi, që të arrihej tek milionat.

Ishin vitet kur ish-portieri i madh spanjoll, Zamora, tregonte një histori të veçantë ndërsa ishte trajner i Espanjolit. Skuadra e Zamorës do të kthehej nga Beogradi pas një ndeshjeje ndaj Crvena Zvezdës (humbur 0-5), dhe për shkak të stuhive të dëborës, nuk mori avionin, por udhëtoi me autobusin e linjës drejt Vjenës. Aty, një plak i varfër, besohet serb, hapi një bohçe ku kishte bukë me djathë dhe i tha Zamorës, “merr”. Ky lloj futbolli, i Zamorës, Benksit dhe Pelesë, nuk ekziston më, ndërsa ne na merr malli për thjeshtësinë e tij të papërsëritshme.

Sfidanti.al