Rritjen e Superligës e tregojnë … tifozët dhe kombëtarja

Kanë kaluar më shumë se 15 vjet që nga koha kur Myftar Çela ishte president i Vllaznisë. Po ashtu janë larg epokat e Tiranës së El Sajedit dhe të katër donatorëve, të Dinamos që luftonte për titull dhe të Partizanit që, tituj nuk merrte, por që tërhiqte më shumë.

Superliga e atëhershme mund të duket sot si e vjetër, me stadiume më të rrënuar se sot, me më pak trajnerë të licencuar dhe po ashtu Shqipëria kishte më pak drejtues me licencat e duhura.

Gjithsesi, ajo Superligë kishte tifozët. Ndeshjet e Vllaznisë ndiqeshin nga minimumi 10 000 vetë, por nuk mungonin as 15 e 20 000. Partizani po ashtu, deri edhe Dinamo, e cila tallej nga kundërshtarët se kishte një “makinë Zuk me tifozë”, ndodhte që e mbushte stadiumin.

Presidenti Duka, i kënaqur edhe nga fitorja në UEFA, thekson se kampionati është rritur, madje edhe financiarisht, por kur tifozët janë të paktë në stadiume, si mund të jetë rritja? Nëse mungon spektatori, si mund të vijnë sponsorët? Pa harruar pyetjen se, përse ata nuk vijnë? Përgjigja është e thjeshtë, sepse kampionati është i dyshimtë.

Rritjen e Superligës e tregon edhe kombëtarja. Nga sulmuesit që po luajnë mirë në Europë këtë kohë, veçohen më shumë ata që janë rritur jashtë si Durmishaj, Manaj, Grezda. Mirë që janë Uzuni e Cikalleshi nga Superliga.

Kampionat nuk janë vetëm terrenet më të mira në stadiume dhe investimet në Shkodër, Elbasan e tani në Tiranë. Më shumë “peshë” kanë fjalët e presidentit kur thotë se do të duhen 100 fusha që fëmijët e Tiranës të luajnë futboll siç duhet. Këto fusha, kuptohet, nuk i prishën njerëzit e thjeshtë sepse pallatet nuk ndërtohen me rroga.

Sfidanti.al