Diferencat para sesa të hynin në fushë ishin tepër të mëdha. Nëse do të vendoseshin në “peshoren” e tregut të futbollit dy skuadrat që ishin përballë, rezultati do të dilte 632 milionë euro që vlente formacioni për Mançester Sitin dhe 282 milionë euro për titullarët e Borusias së Dortmundit. Megjithatë, rezultati pas 90 minutave të para çerekfinale të Championsit në stadiumin “Etihad” doli vetëm 2-1 për anglezët që nuk kanë ndonjë epërsi të madhe për të marrë me vete në Gjermani.
Edhe pse bëri rotacion të fuqishëm, sërish trajneri Pep Guardiola kishte talent “me thasë”, gjë që thuajse nuk i bëri punë. Pasi Kevin De Brujne kaloi vendasit në epërsi, Marko Rojs barazoi 6 minuta para fundit. Gjithçka po shkonte keq, por talenti i ri, Fil Foden e gjeti rrugën për rrjetën e dytë. Siti pati epërsi me topin, 62 për qind me 38, por jo ndonjë dominim me rastet, pasi gjuajtjet drejt portës ishin 11-7, ato në kuadrat 5-3 dhe kornet 4-2. Mediat gjermane theksuan se Dortmundi u tregua i fortë dhe e bllokoi Sitin. Kjo edhe pse ekipi i Guardiolës kryeson Premier Ligën me 74 pikë, 14 pikë më shumë se Mançester Junajtidi, ndërsa Dortmundi është në vend të 5-të në Bundesligë, 11 pikë prapa Bajernit kryesues. Duket se “bari” i Championsit e deh shumë ekipin e sheikëve.
“Më mirë të fitosh sesa të barazosh, – ishte filozofia e Guardiolës më pas, – ne duam që t’i fitojmë ndeshjet në Champions. Nuk ishim mirë në pjesën e parë, aspak të zgjuar, por shumë më mirë pas pushimit me disa raste për gol. Dortmundi është gjithnjë ekip i fortë, me lojtarë të mirë dhe nuk të lejosh të bësh gjithnjë atë që do, por kemi shanset tona në ndeshjen e kthimit. Dortmundi është ekip tipik Championsi. Duhet të shënojmë gola në Gjermani që të fitojmë dhe të kualifikohemi”.
Man. Siti (4-2-3-1): Ederson, Uolker, Stouns, Ruben Dias, Kanselo, Rodri, Gyndogan, Mahrez, De Brujne, Foden, Bernardo Silva (Gabriel Zhezus 59’). Tr. Guardiola.
Dortmundi (4-3-3): Hic, Morej (Mënie 81’), Akanji, Humels, Gerreiro, Belingham, Xhan, Dahud (Delanej 81’), Knauf (Rejna 63’), Rojs, Haland. Tr. Terziç.
Sfidanti.al