Ka përfunduar vetëm gjysma e punës, të cilën madrilenët e bënë mirë dhe të kuqtë nga Anglia aspak siç duhet. Reali e fitoi 3-1 ndeshjen e parë çerekfinale të Championsit, duke hedhur një hap të rëndësishëm drejt gjysmëfinales e duke treguar se kur vjen puna te ky konkurrim nuk kanë shok në Europë. Nëse Liverpuli do të kishet qenë në maksimum, me shumë gjasë do të kishte marrë rezultat tjetër, por duket se telashet e këtij sezoni për Jurgen Klopin nuk janë larguar nga 5 fitore në 6 ndeshjet e fundit (2 në Champions e 3 në Premier) deri para kësaj të marte.
Reali i Zidanit pati përvojën e mjeshtrave edhe pse këta nuk janë ata që kanë qenë dikur. Me Kurtuanë, Naçon, Kasemiron, Krosin, Modriçin e Benzemanë, Madridi ka një “bërthamë” të fortë e të shkëlqyer që di të qarkullojë topin e të godasë kur duhet dhe di të mbulojë edhe mbrojtjen e sakatuar pa Ramosin e Varanin. Kur Vinisiusi është në formë, atëherë tifozët nuk duhet të kenë shumë pikëllim që Eden Hazar nuk është në gjendje të luajë. Shifrat 3-1 ishin të merituara, me dy gola të brazilianit dhe një të Asensios, e shpresa e vetme e Liverpulit është që ka shënuar një gol në fushë kundërshtare me Mohamed Salahun. Në “Anfild” gjithnjë mund të ndodhë gjithçka, por duket e vështirë pa publikun sidomos në tribunën “Klop”. Reali tani padyshim që është favorit për gjysmëfinalen.
Sfidanti.al