Barcelona fiton më në fund edhe “El Klasikon” e shpenzimeve

“El Klasikot” në fushë kanë qenë herë të njërit, herë të tjetrit ekip, por ato të llogarive bankare e dinin fituesin që më parë, Realin. Janari 2018, gjithsesi, solli një ndryshim themelor. Transferimi i Filip Kutinjos për në “Kamp Nou” bëri që Barcelona të thyente rekordin e Realit të shpenzimeve në një sezon të vetëm.

Katalanasit arritën në 312.5 milionë euro dhe sipas gazetës “Marka” ky është rekord botëror. Reali e kishte vendosur rekordin e tij në sezonin 2009-2010 me 257.4 milionë euro, pasi morën Kristiano Ronaldon, Kakanë e disa lojtarë të tjerë. Kutinjo u mor për 160 milionë euro, nga të cilët 120 milionë paguhen tani, dhe 40 milionë më vonë, ndërsa më herët u morën Dembele e Paulinjo.

Paris SG do ta kishte thyer rekordin nëse do ta kishte bërë pagesën për Mbapenë verën e kaluar, por rregullat financiare të UEFA-s e detyruan që ta shtynin për verën e ardhshme. Bëhet fjalë për 150 milionë euro të tjera. Në vendin e tretë të renditjes botërore është Mançester Siti që verën e kaluar shpenzoi 249.3 milionë euro.

Sfidanti.al