Kjo skuadër nuk cilësohet aspak si kandidate për titullin në kontinentin e vjetër, por gjithsesi kur ia përmend emrin padyshim që sugjestionohesh. Flasim për Barcelonën, pesë herë kampione të Europës, të cilët janë në garë për të realizuar një mrekulli, që të kualifikohen për në raundin e dytë. Fitorja 1-0 ndaj Dinamos së Kievit në “Kamp Nou” ishte shumë më pak sesa prisnin tifozët dhe mediat, sidomos pas suksesit bindës 3-1 ndaj Valencias, edhe pse përmbajtja e lojës nuk ishte e keqe. Trajneri Kuman u detyrua të bënte rotacion për shkak edhe të “El Klasikos” në fundjavë ndaj Realit, dhe shumë lojtarë të rëndësishëm u lanë në stol. Sulmuesit Luk De Jong dhe Depai patën disa raste, ndërsa golin e vetëm e shënoi veterani Gerard Pike. Pas pushimit luajtën edhe Ansu Fati, Kutinjo dhe Aguero që mund të jetë aktiv ndaj Realit në La Liga.
Barcelona: Ter Shtegen, Dest, Pike, Lengle, Zhordi Alba, Buskets, Mingueza (Kutinjo 46’), Gavi (Sergi Roberto 69’), F. De Jong, L. De Jong (Fati 46’), Depai (Aguero 75’). Tr. Kuman
Sfidanti.al