Barcelona fitoi më shumë për referendumin sesa për Ligën!

Një katalanas “dok” dhe një “gjysmëkatalanas” i dhanë Barcelonës një fitore që vlejti më shumë për referendumin për pavarësi sesa për pikët në renditjen e ligës spanjolle të futbollit. “Katalanasi dok” ishte Sergi Buskets, ndërsa “gjysmë katalanasi” ishte Lionel Mesi, të dy autorë golash ndaj Las Palmasit në “Kamp Nou”.

Klubi mori një vendim për të luajtur me dyer të mbyllura, në formë proteste për t’u bashkuar me vuajtjet e popullit të tyre që po ndalohej të realizonte referendumin. Presidenti Bartomeu e lajmëroi këtë gjë dhe kërkoi mirëkuptimin nga liga dhe nga Federata. Kurrë ndonjëherë më parë nuk kishte ndodhur kjo gjë në ligën spanjolle, që një ndeshje të niste pa tifozë.

Nuk qe e lehtë për katalanasit që të fitonin, në një stadium gjigand bosh, ndaj edhe pjesa e parë u mbyll pa gola. Gjithsesi, klasi dhe karakteri i kryesuesve të La Ligës e kaloi edhe këtë vështirësi. Buskets shënoi në 49’, Mesi shtoi golat në minutën e 70-të dhe 77-të, dhe arriti në kuotën e 11 rrjetave, në krye të renditjes së shënuesve të kampionatit.

Nuk ishte e lehtë të luhej ndeshja, pasi Gerard Pike ishte kundër. Gjithsesi, mbrojtësi u bind, por më pas sulmoi kryeministrin e Spanjës, Mariano Rahoi, duke thënë se “Rahoi ka atë nivel që ka, dhe shkon nëpër botë pa ditur të flasë një fjalë anglisht”.

Sfidanti.al