Në Katalonjë thonë me krenari se FC Barcelona është më shumë se një klub, duke përfshirë të gjithë sportet që praktikon. Këtë e dinë sidomos fëmijët e vegjël të akademisë La Masia, siç e tregoi turneu Sfida botërore për të rinj, një lloj Kupe Bote për të vegjëlit. Sfida u zhvillua në Japoni dhe Barcelona U13 fitoi titullin kampion, duke mundur 3-1 Arsenalin në finale.
Gjithsesi, përshtypje më të thellë bëri ajo që ndodhi në çerekfinalen e fituar pas penalltive ndaj FC Persimonit, një ekip japonez nga qyteti i Kavasakit. Pasi seria e 11-metërshave përfundoi 11-10 për Barçën, fëmijët “blaugrana” shkuan të ngushëllonin moshatarët e tyre japonezë, që ishin rrëzuar në tokë të dëshpëruar. Fillimisht, ata përqafuan portierin kundërshtar, pastaj shkuan të takonin dhe t’u flisnin fjalë inkurajimi edhe lojtarëve të tjerë. Kjo sjellje e tyre bëri vërtet xhiron e botës.
Sfidanti.al