Barça mbetet “e ve”, Mesi humb Interin dhe “El Klasikon”

Momenti më i keq do të kishte qenë në fund të sezonit, por edhe tani nuk është aspak mirë. Barcelona do të duhet të jetë pa Lionel Mesin ndaj Interit, në mesjavë në Champions, dhe në fundjavë ndaj Realit në “El Klasiko”. Superylli pësoi thyerje në bërryl, ndërsa u rrëzua keq gjatë ndeshjes ndaj Seviljes, më pas u dërgua në klinikën e klubit dhe aty u konfirmua dëmtimi si dhe mungesa prej 3 javësh.

Barça do të kalojë disa provime të vështira pa liderin e saj, edhe pse Reali nuk është në momentin më të mirë, dhe derbi i Spanjës luhet në “Kamp Nou”. Me shumë gjasë, numri 10 do të kthehet në fushë pas ndërprerjes së radhës të kampionateve për shkak të ndeshjeve të kombëtareve.

“Është një humbje e madhe për ne, – u shpreh trajneri Valverde pas ndeshjes, – dhe kemi disa rivalë të vështirë për të luajtur, por i kemi lojtarët për t’ia dalë mbanë”. Usman Dembele hyri në fushë ndaj Seviljes, në vend të kapitenit, dhe me shumë mundësi, ai mund të jetë titullari në sulm, në krah të Suarezit e Kutinjos.

Sfidanti.al