Balliu, një nga 69 talentet e Barcelonës që luajnë në 5 ligat e mëdha të Europës

Në krye të tyre është padyshim kampioni i botës. Sado e çuditshme të duket, Lionel Mesi luan sot për Paris SG në Ligën e Parë të Francës, ndonëse ishte jo vetëm prodhimi më i shkëlqyer i akademisë “La Masia”, por edhe legjenda e “Kamp Nout”. Gjithsesi, në të njëjtën kategori është edhe një shqiptar, Ivan Balliu. Mbrojtësi i djathtë i kombëtares shqiptare është pjesë e Rajo Vajekanos në La Ligën spanjolle, ndërsa gjithashtu ka dalë nga radhët e shkollës katalanase të futbollit. Balliu cilësohet si një nga zbulimet në Spanjë në dy sezonet e fundit, padyshim një nga lojtarët më të mirë të ekipit madrilen.

Mediat spanjolle krijojnë një listë me 69 talente të La Masisë që sot janë në 7 kampionatet kryesore të Europës, e sidomos në pesë të mëdhenjtë si Premier Liga, La Liga, Bundesliga, Seria A dhe Liga e Parë e Francës. Balliu është shqiptari i vetëm në këtë listë, dhe është një nga 38 futbollistët që luajnë në elitën e futbollit spanjoll, mes të cilëve edhe portieri i Vijarrealit, Pepe Reina apo Aleks Kojado i Elçes. Shtatë lojtarë janë në Serinë A, ku spikasin Deulofeu i Udinezes dhe portieri i Interit, Onana. Në Premier Ligë janë 6 emra si Tiago Alkantara i Liverpulit, Traore i Uolvesit apo Kukureja i Çelsit. Në Bundesligë, ndërkaq, janë vetëm 3 lojtarë katalanas ku më i dalluari është Dani Olmo i Lajpcigut.

Sfidanti.al