Nuk ka shaka me “pancerat” e Hansi Flikut, dhe as Atletiko e Madridit e Simeones nuk mund ta përballoi supefuqinë e Mynihut. Kampionët e Europës, futbollistët e Bajernit e shkatërruan skuadrën spanjolle duke e mundur 4-0. Që nga frika për anulimin për shkak të koronavirusit u kalua tek rituali i zakonshëm, edhe pse mungoi Gnabri, Lykas Hernandez apo ndonjë tjetër. Golat u shënuan nga Koman (2), Gorecka dhe Toliso, ndërsa “artileria e rëndë” Levandovski-Myler këtë herë nuk shënoi.
Nuk u ndal as kampionia e Europës e sezonit të kaluar, Liverpuli, pavarësisht mungesave të shumta si Van Dajk, Alison, Tiago Alkantara apo Matip. Në Amsterdam ndaj Ajaksit mjaftoi një autogol i pjesës së parë nga mbrojtësi vendas, Nikola Taliafiko. Trajneri Jurgen Klop pati të paktën në fushë treshen e sulmit Salah-Mane-Firmino, ndërsa në qendër të mbrojtjes u vendosën Xho Gomez dhe Fabinjo. Ndeshja ishte e fortë, dhe zotërimi i topit thuajse i barabartë, po ashtu numri i gjuajtjeve,16-6 Liverpuli dhe 12-5 Ajaksi. Gjithsesi, me kornet anglezët ishin 9-3. Një tjetër skuadër angleze ia doli dhe kjo ishte ajo e Mançester Sitit që mundi 3-1 në “Etihad” Porton. Nuk ishte e lehtë, por suksesi u arrit me golat e shënuar nga Aguero (p), Gyndogan dhe Torres, ndërsa portugezët kaluan në epërsi përkohësisht me golin e shënuar nga Luiz Diaz.
Po italianet? Nëse Atalanta vazhdoi fluturimin prej “perëndie”, për Interit duhet thënë se nuk shqitet dot nga çmenduria. Në një ndeshje që ishte e përballueshme nuk shkoi dot më shumë se një 2-2 në “San Siro” ndaj Borusias së Mynshengladbahut. U desh gjithë fuqia dhe klasi i Romelu Lukakut për të shpëtuar pikën. Belgu shënoi për 1-0 , pastaj Gladbahu përmbysi shifrat në 2-1 (Bensebalni dhe Hofman), por Lukaku barazoi në sekondat e fundit. Atalanta ia doli 4-0 në Danimarkë ndaj Mitjulandit me golat e shënuar nga Zapata, Gomez, Muriel dhe Mirançuk.
Sfidanti.al