Dëmtimi i Van Dajkut një tmerr, mbrojtësi nuk kthehet para sezonit të ardhshëm!

Ishte e qartë se flitej për një lëndim të një shkalle shumë të rëndë. Virgil Van Dajku u përjashtua nga thuajse gjithë sezoni, ndonëse tek Liverpuli shpresonin që ai të kthehej pak më shpejt, për të dhënë kontribut në javët e fundit dhe vendimtare. Nga “shiu” shkohet në “breshër”, pasi analizat e reja mjekësore zbuluan që holandezi është i dëmtuar edhe më shumë sesa mendohej dhe trajneri Klop pritet ta ketë në dispozicion vetëm në nisje të sezonit të ardhshëm.

Në Angli po flasin se Liverpuli do ta ketë shumë të vështirë që ta mbrojë titullin pa një kolos si Van Dajku, dhe këtë e ka theksuar ish-kapiteni Xhemi Karrager, që madje kritikoi trajnerin Klop që nuk bëri përforcime gjatë verës dhe shtatorit. Gjermani u përgjigj ashpër duke thënë se “kjo tregon se përse ai nuk do të jetë asnjëherë një trajner”, duke nënkuptuar ekulibrat financiarë në klub, por edhe në skuadër. Pritet që Liverpuli të kërkojë mbrojtësin Upamekano të Lajcpigut gjatë janarit, por edhe ish-liverpulasin Konor Koudi të Uolvesit. Klopi mund të mbështetet tek mesfushori Fabinjo, gjithashtu.

Sfidanti.al