Sërish duhet të bëjmë pyetjen, nëse është e vërtetë kjo që po na shohin sytë me Realin? Mund ta pranojmë se kjo është gjendja e vërtetë e skuadrës madrilene, apo ndoshta kriza e koronavirusit e ka detyruar të bëjë “dredha” me rezultatet? Këtë të dytën për momentin nuk e dimë dhe thjesht mund të aludojmë, por sa për të parën mund të themi se kampionia e Spanjës është në krizë të thellë.
Disfatë 2-3 në Madrid nga Shahtari i Donjeckut në Champions, dhe tani të besuarit e trajnerit Zinedin Zidan duhet të luftojnë për jetë a vdekje deri në fund. Pak ditë më parë u mundën 0-1 po në Madrid nga Kadizi në La Liga. Zidan doli ballëhapur para mediave. “Nuk e pashë ekipin siç desha, dhe kur kjo ndodh përgjegjësia është e trajnerit, – tha ai, – jam fajtori dhe duhet të gjej zgjidhje. Një ndeshje e keqe, sidomos pjesa e parë, por nuk ishte vetëm faji i lojtarëve. Ata dalin në fushë e vrapojnë, por jam unë që përgatis skuadrën. Na mungoi besimi”. Nuk dihet nëse Reali do ta fitojë besimin deri në El Klasikon ndaj Barcelonës, ditën e shtunë. Shahtari kryesoi 3-0 me gola të Tetes, Varanit (autogol) dhe Solomonit, ndërsa Reali reagoi pas pushimit me Modriçin dhe Vinisiusin.
Sfidantia.al