Nëse humbet 0-3 në fushën tënde, do të thotë se je tepër në krizë. Jo edhe aq në krizë loje, sesa në mungesë besimi, si dhe me disa thyerje të brendshme. Cila është sëmundja e Bajernit që u mposht 0-3 në Mynih nga Borusia e Mynshengladbahut, rivali i madh i dikurshëm, por shumë më modest sot? Nuk i munguan lojtarët, pasi kampionët ishin në fushë, as gati 70 000 tifozët në “Alianc Arena”, dhe as aftësia e një trajneri si Niko Kovaç, që përderisa fitoi Kupën tek Frankfurti, si mundet të mos fitojë në Mynih?
E pra, diçka (e madhe) nuk shkon. Gladbahu ia doli me golat e shënuar nga Plea,Shtindl dhe Herrman, ndonëse Bajerni mbajti 72 për qind topin (?!), pati gati 750 pasime të bëra ndaj 280 të kundërshtarit dhe gjuajti dyfishin drejt portës. Një këmbëngulje e verbër, pra, si ajo e demit përpara “flamurit të kuq”, dhe një nokaut që mund ta lerë pa titull. Pak ditë më parë, Hames Rodrigez besohet se u shpreh për trajnerin se “këtu nuk jemi në Frankfurt”. Ndoshta, Kovaç mund të jetë trajner i madh për klube të vegjël? Ku i dihet, por tashmë janë 4 ndeshje radhazi pa fitore, Augsburgu, Herta, Ajaksi dhe Gladbahu, madje me dy humbje, ndërsa Dortmundi ka nisur shkëputjen.
Sfidanti.al