Goli i Ronaldos në Udine, dhe “golat” e policisë amerikane

SHBA është një shtet ligjor, por çdo njeri me “dy pare” mend në kokë, e di se ligji vështirë të jetë i njëjtë për një njeri të thjeshtë dhe për një milioner të lidhur me interesa të mëdha. Jo më kot, senati amerikan nuk e ka problem të votojë për Bret Kavanoun (Cavanaugh) në Gjykatën Supreme, edhe pse mbi të rëndon një akuzë e madhe për përdhunim.

Kështu, nuk ka pse të habitemi shumë që Kristiano Ronaldo vazhdon të jetë “i përkëdheluri” i futbollit botëror, edhe pse ka mbi vete një akuzë gjithashtu të tmerrshme për përdhunim. Ndërsa ylli i Juventusit shënonte në stadiumin “Friuli” të Udines, në fitoren 2-0 të ekipit ndaj Udinezes, avokati i akuzueses së tij deklaronte nga SHBA se policia e Las Vegasit ka zhdukur provat. Bëhet fjalë për deklaratat e Ketrin Majorgës, për veshjet e saj në natën që pretendohet se ndodhi krimi, në 2009, si dhe veshjet e saj të brendshme.

Kristiano Ronaldo është një nga ikonat e futbollit profesionist, një biznesi prej miliarda e miliarda dollarësh apo eurosh, po ashtu është fytyra e kompanive gjigande si Najk (Nike) apo të tjera. Mos vallë, gjithë ky lobing i fuqishëm, i bashkuar nga interesi, mund të ketë bërë që hetimet për CR7-ën të hyjnë në rrugë pa krye, derisa të braktisen përfundimisht?

Sfidanti.al