Në Gjermani nuk mund ta mendonin që një ekip të shënonte dyfishin e Bajernit. Natyrisht, shpesh njerëzit nuk besojnë pa e parë me sy të vërtetën, dhe realiteti i bukur i Bundesligës këtë moment është Borusia e Dortmundit. Skuadra, që vazhdimisht është shpresuar të jetë rivalja numër 1 e kampionëve, duket se më në fund po i plotëson pritshmëritë.
Suksesi i kësaj fundjave nuk ishte i shkëlqyer dhe me sundim total, veçse ishte një konfirmim. Të besuarve të trajnerit Lysien Favre iu desh të provonin një dramë të madhe dhe që u duk se do të kishte përfundim të keq. Rezultati ndaj Augsburgut doli 4-3, me fitoren që u vendos vetëm në sekondat e fundit.
Ekipi kundërshtar, që i kishte marrë barazimin Bajernit në Mynih, thuajse ia arriti edhe në Dortmund. Augsburgu u ndodh dy herë në avantazh, ndërsa në minutën e 87-të pati forca të barazonte pas përmbysjes së vendasve. Jo keq për një ekip që ndodhet në mesin e tabelës. Gjithsesi, Borusia e trajnerit zviceran ka sot diçka të veçantë.
Më shumë karakter dhe besim në vetvete, pa u druajtur nga superfuqia me të cilën duhet të konkurrojë. Dortmundi kryeson Bundesligën me 17 pikë, dhe golaverazhin shumë të mirë, 23-8.
Sfidanti.al