Australia dëbon Gjokoviçin, ylli i tenisit në udhëkryqin e karrierës!

Ishte e pritshme, ndonëse mendohej se nuk do të arrihej deri aty. Qeveria australiane ka vendosur t’ia anulojë për herë të dytë vizën Novak Gjokoviçit, që do të thotë se tenisti serb nuk do të mund të marrë pjesë në Australian Open, dhe se rrezikon të përjashtohet 3 vjet për të hyrë në vend. Kjo, pasi ministri i emigracionit, Aleks Houk, ushtroi një fuqi që ia jep ligji pavarësisht vendimit të gjykatës për ta lejuar numrin 1 të botës. Sipas mediave, Gjokoviçi pritet t’i drejtohet sërish gjykatës, ndonëse specialistët thonë se do ta ketë të vështirë, ndërsa për 3 ditë nis Grand Slemi i parë i vitit. Nole është kampion në fuqi dhe tenisti më i suksesshëm në histori në Melburn me 9 tituj. Po ashtu, ai ka 20 Grand Sleme, po aq sa Federer dhe Nadal, e donte të vendoste rekordin në Australi. Tashmë, Gjokoviç është në një udhëkryq karriere, duhet të zgjedhë mes parimeve të tij për të mos u vaksinuar ndaj Kovidit, dhe vazhdimit si tenist i nivelit të lartë. Në të dyja rastet do të humbasë shumë, por nëse mbron parimin për të cilin luftoi deri tani, do të fitojë respektin.

Sfidanti.al