Duke parë vetëm rezultatin, një fitore 3-1 edhe pse pas kohës shtesë në Kupë, mund të thuhet: Dakord, vazhdon viti shumë i mirë 2022! Milani arriti një tjetër sukses, një kualifikim në konkurrimin e dytë kombëtar në Itali, por mënyra sesi luajti dhe fakti se e shpëtoi Rafael Leao, nuk i lejon tifozët të jenë edhe aq të lumtur. Nuk mund të thuhet se “ka Inter, por ka edhe Milan”, të paktën në këtë moment. Xhenoa kryesoi papritur 1-0 në “San Siro” dhe u deshën 30 minutat e shtesave për kualifikimin në çerekfinale. Zhiru, Leao dhe Selemekers ishin autorët e golave për kuqezinjtë. “Ishte një ndeshje që e luajtëm keq, – pranoi trajneri Pioli, – duket se as unë nuk kam bërë një punë të mirë. Kishim shumë pak energji në fushë, sidomos në pjesën e parë, asnjë lojtar nuk ishte mirë. Më pas u rritëm, por duhet të ndryshojmë”. Shqetësim për dëmtimin e Tomorit dhe Pioli thotë se “është shumë i rëndësishëm për ne, shpresoj të mos jetë i rëndë”.
Sfidanti.al