Lebron vazhdon të jetë numri 1, por vazhdon të humbasë!

Los Anxhelos Lejkërsat po përpiqen për herë të fundit tani në dimër që të forcojnë skuadrën, pasi nuk po dinë se ç’të bëjnë më. Edhe pse në radhët e tyre po luan një lojtar që po sillet sërish si më i miri në NBA, sërish Liqenasit po humbasin dhe janë larg pretendimeve për titull. Lebron Xhejms e tregoi veten në ndeshjen ndaj Sakramentos duke shënuar 34 pikë, e duke shtuar 7 topa në tabela e 6 asistë, ndërsa duke humbur vetëm 1 top (diçka e jashtëzakonshme), por sërish Lejkërsat u mundën 116-125. Entoni Dejvis mbetet jashtë, ndërsa Rasëll Uestbruk duket hija e vetvetes, pasi shënoi vetëm 8 pikë (!!!), edhe pse kapi 12 topa në tabela e shërbeu 6 asistë. Lojtarët e tjerë të vjetër nuk po e “tërheqin dot karrocën” si Ariza, Hauard, ndërsa Karmelo Entoni është jashtë, por është gjithashtu i vjetër. Lejkërsat janë në vend të 8-të në Perëndim me 21 fitore e 21 humbje! Lebron Xhejms po shënon 29.1 pikë për ndeshje, me 7.4 topa në tabela e 6.6 asistë për ndeshje mesatarisht, në një nivel vërtet të lartë.

Sfidanti.al