Asllani: I lumtur që ndihmova shokët, misioni u krye!

Vitin e kaluar në këtë kohë ishte kundërshtar. Kristjan Asllanit këtë herë i qëlloi ndryshe dhe luajti me fanelën e Interit në sfidën e Kupës së Italisë ndaj Parmës. Mesfushori kuqezi e shfrytëzoi më së miri mundësinë që i dha trajneri Simone Inzagi duke qenë një nga më të mirët për 120 minuta që ishte në fushë. Ai bëri presion, vrapoi dhe dirigjoi ndonëse koha e gjatë pa luajtur ndikoi gjithashtu. Nga këmbët e Asllanit u nis aksioni i golit të barazimit në fitoren 2-1, pra detyra u krye. “Po, e realizuam misionin, – thotë shqiptari, – Jemi të lumtur që kaluam turin, dhe e dinim se ndeshja e parë në Kupën e Italisë këtë vit do të ishte e vështirë. Ashtu si vjet me Empolin, kur luajta si kundërshtar. U treguam të zotë që e përmbysëm rezultatin. Unë dhashë maksimumin, ndonëse pata shumë pak hapësira në fillim, por ishte normale sepse Parma u mbrojt me shumë lojtarë dhe bëri presion. Në pjesën e dytë, pata më shumë mundësi dhe jam i lumtur që u dhashë një dorë shokëve”.

Sfidanti.al