Andrea Beloti është dashuria e re e futbollit italian, por në këtë botë globale, askush nuk e ka të ndaluar këtë ndjenjë ndaj tij. Natyrisht, nëse ka paratë e duhura për “ta dashur”. Kandidati më serioz për “dhëndër” jepet Arsenali dhe trajneri i tij, Arsen Venger, që është tepër i vendosur të shtojë talentin dhe personalitetin e skuadrës. Për Torinon, sipas mediave britanike, është bërë gati oferta dhe kjo arrin në 56 milionë paund stërlina, ose rreth 67 milionë euro. Janë vërtet shumë për një djalë 23-vjeçar, edhe pse bëhet fjalë për golshënuesin numër 2 të Serisë A pas Mauro Ikardit (13 gola deri tani).
Torino, gjithsesi, po bën lojën e saj. Klubi italian e hodhi poshtë ofertën e londinezëve, me gojën e drejtorit sportiv, Xhanluka Petraki. Presidenti Urbano Kairo pret të ketë një “ankand” për kartonin e lojtarit të tij më të mirë të momentit, si dhe shpreson që transferimi i mundshëm të realizohet jo tani, por në verë. Trajneri Mihajloviç shpreson të arrijë objektivin e Ligës së Europës, dhe nuk bëhet fjalë që kjo të ndodhë pa Belotin. Për më tepër, Kairo beson se edhe klubet kineze do të bëhen “të gjallë” dhe atëherë ai mund të realizonte premtimin e dhënë tifozëve se Beloti nuk largohet pa 100 milionë euro.