Juventus reagon pas humbjeve, e provoi edhe Bolonja!

Gonzalo Higuain u shpreh me besim se nuk ia kishte frikën barrës së 90 milionë eurove të paguara për kartonin e tij. Argjentinasi e tregoi se fjalët e tij ishin të vërteta ku shënoi dy gola dhe Juventusi dërrmoi Bolonjën në ndeshjen e mbrëmjes në Serinë A. Kampionët triumfuan 3-0 në Torino dhe u shkëputën sërish në 4 pikë diferencë me ndjekësen më të afërt, Romën, që ka luajtur edhe një ndeshje më shumë.

Higuain shënoi golin e parë dhe të tretë, ndërsa Paulo Dibala ktheu në gol një penallti, me formacionin torinez që iu përgjigj kritikave të furishme të trajnerit Masimiliano Alegri, pas disfatës së dhimbshme ndaj Milanit në finalen e Superkupës së Italisë. Higuain arriti në kuotën e 12 golave në kampionat, duke qenë shumë pranë golshënuesve më të mirë si Mauro Ikardi e Andrea Beloti, ndërsa Juventusi tregoi se vërtet di të reagojë pas humbjeve.