Përfunduan të dyja me fitore, por sa të ndryshme ishin si ndeshje. Çelsi dhe Totenhemi kaluan në turin e katërt të Kupës së Anglisë, duke hedhur në fushë skuadra me shumë ndryshime, veçse Maurisio Poçetino vuajti shumë më tepër sesa Antonio Konte. Blutë hodhën në fushë një ekip me 7-8 lojtarë që kanë qendruar kohët e fundit në stol, përfshi portierin Begoviç, mbrojtësit Terri e Ivanoviç, apo të tjerë si Çalobah, Zuma, Baçuai apo Loftus-Çik, por patën përballë një kundërshtar modest dhe e mundën 4-1.
Peterboro e kategorisë së tretë nuk mundi të përballonte forcën më të madhe të kryesuesve të Premier Ligës, edhe pse luftoi fort dhe pa u dorëzuar. Miqtë shënuan një gol për 1-3 me anë të Nikëllsit, dhe detyruan kapitenin Terri të dilte nga loja me karton të kuq. Veçse, dy gola të Pedros, një i Baçuait dhe një nga Uilliam bënë diferencën në sytë e 41 000 shikuesve në “Stemford Brixh”.
Totenhemi, po ashtu pati shumë ndryshime, plot 9,veçse Spërsat kishin përballë vërtet një ekip të kategorisë së dytë, por me shumë histori. Aston Vila zbriti në “Uajt Hart Lejn” me besimin se mund të shkaktonte të papriturën, dhe për 70 minuta ishte brenda objektivit. U desh që trajneri Poçetino të hidhte në fushë Ejlin dhe Ndukun, që loja të ndryshonte dhe vendasit të fitonin 2-0. Autorët e golave ishin Ben Dejvis dhe Son Heung-min (në foto).