Karlos Baka nuk ka qenë thuajse asnjëherë ndër të preferuarit e trajnerit të Milanit, Vinçenco Montela. Njeriu i stolit shpesh e uli në stol gjatë fazës së parë, ndërsa po mendonte seriozisht për “t’i dhënë duart” tani në janar. Veçse, sulmuesi nga Kolumbia, duket se ende është i rëndësishëm për kuqezinjtë, siç e tregoi përballja e sotme në Serinë A. Edhe pse në stadiumin e tij, “San Siro”, Milani thuajse i humbi dy pikë ndaj një ekipi modest si Kaljari. U desh goli i Bakës dy minuta para fundit që të sigurohej suksesi, të realizohej sërish një shkëputje ndaj Interit, dhe të mbahej diferenca prej 6 pikësh me Juventusin.
Pavarësisht nga preferencat e Montelës, dhe nga skemat që ai dëshiron të përdorë, skuadra e tij ende nuk e ka pjekurinë e duhur për të qenë e madhe në Serinë A. Shpesh luan mirë dhe gabon, ndërsa herë të tjera, nuk lidh dot dy-tri ndeshje radhazi të fituara. Sulmuesi, me 30 vitet mbi supe, garanton të paktën përvojën. Ofertat për të nuk mungojnë gjithsesi, dhe Milani mund të bindet për ta shitur nëse klubet kineze japin shumë para. Sipas mediave, Bakës i janë premtuar 10 milionë euro në sezon nëse do të kalojë në Superligën e Kinës.