Arsenal, çfarë po ndodh me pesë kapitenët e tu?!

Unai Emeri është një trajner i respektuar, por asgjë nuk po i shkon mbarë me shiritin tek Arsenali. “Bomba” e fundit që plasi, sikur i vuri kapak problemeve, pasi kapiteni Loren Koshielni refuzoi të paraqitej në fazë përgatitore, i vendosur për t’u transferuar me parametër zero tek Bordoja. Koshielni ishte njëri nga pesë kapitenët e emëruar nga Emeri në fillim të sezonit të kaluar, por duket se do të duhet të gjejë të tjerë. Tifozët, shokët e skuadrës dhe vetë trajneri nuk e prisnin këtë sjellje nga Koshielni, me francezin që e ka ndarë mendjen të kthehet në Francë.

Ish-portieri Petr Çeh, gjithshtu një kapiten, jo vetëm mbylli karrierën, por u bashkua me rivalët e vjetër të Çelsit, edhe pse legjenda çeke e ka një justifikim, sepse përpara se të luante për Arsenalin, ai ishte pjesë e bluve të Londrës. Një kapiten tjetër i vjetshëm ishte Aron Ramsej, por edhe ky është larguar tashmë për tek Juventusi. Mbeten Mesut Ozili dhe Granit Xhaka. i pari nuk pëlqehet fare nga tifozët, për shkak të rënies dramatike së formës, pavarësisht talentit të madh dhe rrogës prej 300 000 paundë stërlinash në javë.

Mbetet Granit Xhaka, por shqiptari i Kosovës gjithashtu i ka shqetësuar tifozët me mendimin e tij për t’u larguar. “Unë jam shumë ambicioz, – tha ai, – unë dua të hedh hapin tjetër (në karrierë). Arsenali nuk duhet të jetë etapa ime e fundit”. Shqiptari i Zvicrës rinovoi vjet kontratën, por dihet se marrëveshjet janë bërë për t’u shkelur, ndërsa Emeri mund të mbetet pa një tjetër kapiten.

Sfidanti.al