Armando Sadiku e vazhdon karrierën në Indi!

Viti që kaloi nuk ishte për t’u hedhur poshtë, por në ekipin ku ishte nuk pati më vend. Armando Sadiku u detyrua të bënte një ndryshim të madh në karrierë, edhe pse shënoi 8 gola në Ligën e Dytë të Spanjës, ndërsa zgjodhi një skuadër, siç thuhet, në anën tjetër të botës. Sulmeusi 32-vjeçar, që u la shpesh në stol nga trajneri i Kartagjenës në gjysmën e dytë të sezonit, do të vazhdojë të luajë futboll në Indi. Heroi i Europianit 2016 në Francë, autori i golit të vetëm shqiptar në finale të tilla, do të jetë pjesë e skuadrës së Superligës indiane, Mohun Bagan. Njoftimi ka dalë në faqet në Tuiter të futbollit indian, ku theksohet se Sadiku është tashmë një “marinar”, siç e kanë epitetin lojtarët e e ekipit të tij të ri.

Sulmuesi hodhi poshtë interesimin e klubeve nga Superliga shqiptare, ndërsa besohej se Tirana ishte kandidate e fortë për ta marrë. Mohun Bagan është aktualisht në vendin e tretë në elitën e futbollit indian, ndonëse është ngjitur aty vetëm para 3 vjetësh. Pritet që Sadiku të angazhohet menjëherë në skuadrën e tij të re, sepse kampionati në Indi vazhdon, ndërsa sulmuesi shqiptar është në formë duke luajtur deri vonë në Spanjë dhe së fundmi i grumbulluar me kombëtaren.

Sfidanti.al