E pati fatin dhe meritën për debutimin e madh, ndonëse më pas u detyrua të presë. Armando Broja u bë një nga 10 lojtarët më të rinj që hodhën hapat e parë në Premier Ligën angleze, kur trajneri i Çelsit, Frenk Lampard, e aktivizoi në sfidën ndaj Evertonit në stadiumin “Stemford Brixh”. Po mbushen gati 2 muaj nga ajo pasdite që do të mbetet e paharruar për sulmuesin 18-vjeçar shqiptar, që pritet të ketë një karrierë të rëndësishme tek Blutë e Londrës.
Ndërsa kalon kohën i izoluar në shtëpi, dhe padyshim stërvitet, ai nuk harron të komunikojë me tifozët e Çelsit, si pjesë e profesionit, e kënaqësisë, dhe e detyrimeve që kërkohen nga klubi. Broja u tha tifozëve se debutimi ishte diçka e veçantë, në të cilën përjetoi ndjenja të fuqishme, si çdo i ri.
Nga lojtarët me të cilët ka pasur rast të luajë tek Çelsi, ai veçon Eden Hazarin, belgun që u transferua verën e kaluar tek Reali i Madridit, pasi ndihmoi londinezët të fitonin Ligën e Europës në finalen ndaj Arsenalit. i pyetur se cili është lojtari më i mirë në botë sipas tij, Broja zgjedh “Fenomenin” Ronaldo, sulmuesin brazilian që shkëlqeu për Brazilin, Barcelonën, Interin apo Realin e Madridit, dhe që u pengua nga dëmtimet. Ai është pikërisht i preferuari i 18-vjeçarit shqiptar.
Gjithsesi, nga lojtarët që kanë veshur fanelën e Çelsit, ai dëshiron t’i ngjajë Didie Drogbasë, sulmuesit afrikan nga Bregu i Fildishtë, që ndihmoi Blutë të fitonin Championsin në 2012, moment që Brojës i ka mbetur më shumë në mendje se gjithë të tjerët. Armando Broja së fundmi nënshkroi kontratën e parë si profesionist dhe trajneri Lampard e mbështet si një nga lojtarët e preferuar që pritet ta ndihmojë Çelsin për shumë vjet.
Sfidanti.al