Reali me maska e doreza, Zinedin Zidan mban distancë, ndërsa nisin testet!

Padyshim që lumturia e tyre ishte e papërshkruar. Nuk ka gëzim më të madh për një profesionist kur kthehet të bëjë mjeshtërinë e jetës, sidomos pas dy muajve karantinë. Edhe futbollistët e Realit të Madridit ishin të tillë, ndërsa vuajtën jo pak të izoluar nga shokët, nga komplekset sportive, stadiumet, udhëtimet e tifozët, krejt ndryshe nga sa ishin mësuar. Dakord, ishin me familjet, por identiteti i tyre është shumë më tepër se kaq. Jo më kot, njeriu quhet një qenie shoqërore, pavarësisht se çfarë filozofish predikohen.

Lojtarët madrilenë patën maska në fytyra, e dorashka në duar, ndërsa u duk qartë se ruajtën distancën fizike për t’u mbrojtur nga çdo rrezik i mundshëm i koronavirusit. Trajneri Zinedin Zidan nuk bëri përjashtim. Ai i priti pjesëtarët e skuadrës së tij pa u dhënë dorën, duke nisur me kapitenin Sergio Ramos, Eden Hazarin e duke vazhduar me të tjerët.

Në kompleksin e Valdebebasit, në periferi të Madridit, u panë fytyat e njohura të Kurtuasë, Garet Bejlit, Toni Krosit, Iskos apo Luka Modriçit, që të gjithë yje të mëdhenj futbolli, por edhe ata të rrezikuar nga epidemia, ashtu si edhe familjet e tyre. Pritet të shihet sesi do të dalin testet për virusin, si do të shkojë stërvitja, dhe kur do të rifillojë La Liga, ku Reali është në vend të dytë, dy pikë prapa Barcelonës.

Sfidanti.al